Skip to main content

PRAKTIKAT INOVATIVE TË VJELJES DHE PASVJELJES


AUT

Rreth kursit

Titullari/pedagogu i lëndës: Prof. Dr. Endrit Kullaj, Dr. Erjon Mamoci
Titulli i lëndës: PRAKTIKAT INOVATIVE TË VJELJES DHE PASVJELJES
Ngarkesa: 5 kredite, 60 orë total, leksion 30 dhe seminar, praktika 30
Tipologjia e lëndës: D, Lëndë plotësuese
Viti Akademik/Semestri kur zhvillohet:: Viti i parё, semestri i dytё
Lloji i lëndës:: E detyrueshme / me zgjedhje
Programi i studimit: Për studentët e Fakultetit të Bioteknologjisë & Ushqimit. Programi i studimeve “Sistemet e qëndrueshme të prodhimit të ushqimeve”, për Ciklin e dytë të Studimeve, Master i Shkencave.
Adresa elektronike e titullarit/pedagogut të lëndës: ekullaj@ubt.edu.al


PËRSHKRIMI I LËNDËS


Objektivi kryesor i këtij moduli është ofrimi i njohurive themelore mbi teknikat e vjeljes dhe ruajtjes, transportit të produkteve hortikulturore të freskëta, me theks të shtuar tek mirëmbajtja e cilësisë dhe sigurisë së produkteve. Gjatë dy dekadave të fundit, aspektet biokimike dhe molekulare janë përdorur gjerësisht për të kuptuar dhe analizuar ndryshimet e produktit para dhe pas vjeljes të cilat lidhen me cilësinë e tij në përdorimin final. Nisur nga objektivat formuese të studentëve të bioteknologjisë dhe ushqimit në raport me ata të hortikulturës, në këtë program janë përfshirë edhe aspekte themelore të fiziologjisë dhe biokimisë në produktet hortikulturale, njohuri të thella të proceseve metabolike të tyre si dhe aplikimin e teknologjive të reja e të sofistikuara për evitimin e ndryshime të padëshirueshme kimike, teknologji të reja të ruajtjes për zvogëlimin e humbjeve në vjelje dhe pasvjelje, ruajtjen e cilësisë së produktit dhe rritjen e sigurisë ushqimore. Studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë orë laboratorike pranë Laboratorit të Cilësisë së Frutave dhe Perimeve për t’u aftësuar në njohjen e metodave jo-destruktive për përcaktimin e cilësisë së frutave dhe perimeve si teknologjitë elektromagnetike (spektroskopia vis/NIR, fluoreshenca, rrezet X dhe γ, rezonanca magnetike nukleare), teknologjitë mekanike (impakti, vibrimet me frekuencë të ulët, vibrimet akustike, ultratingujt), teknologjitë elektrokimike (hunda elektronike), dendësia e frutave. Studentët do të njihen me proceset patologjike gjatë ruajtjes, ndërveprimin bujtës- patogjen si mekanizmat e veprimit të patogjenëve dhe mekanizmat mbrojtës të bujtësit nga veprimi i patogjenëve. Studentët do të familjarizohen gjithashtu me procedurat dhe preparatet për kontrollin kimik të sëmundjeve të pasvjeljes; problematika e komponimeve sintetike dhe alternativat që mund të përdoren. Do të njihen me metodat e fizike të mbrojtjes, si temperaturat e larta, radiacioni i jonizuar dhe ai ultraviolet por edhe kontrollin biologjik të sëmundjeve të pasvjeljes duke u njohur me mënyrat e veprimit dhe aplikimit të agjentëve të biokontrollit si dhe integrimi i tyre në strategjitë e pasvjeljes.


REZULTATET E TË NXËNIT:

Përmes leksioneve, orëve laboratorike, praktikave në terren dhe detyrave e projekteve të kursit, studentët do të jenë të aftë të vlerësojnë dhe analizojnë metodikisht të gjitha këto procese. Pas përfundimit me sukses të këtij moduli, studentët do të jenë në gjendje të:

  • Të kuptojnë dhe analizojnë humbjet pasvjeljes përgjatë gjithë zinxhirit të vlerës
  • Të kuptojnë dhe zbatojnë teknologji të vjeljes dhe pasvjeljes
  • Të kuptojnë teknologjitë për sanitimin dhe ato që garantojnë sigurinë ushqimore
  • Të punojnë në grupe, të përgatisin e të paraqesin raporte për problematikat e pasvjeljes dhe të propozojnë përmirësime për sektorin.
Enroll